Ligjerimi i folur dhe i shkruar.

Ligjërimi i folur dhe i shkruar.

Si argumentojmë

Përpara se të trajtojmë ligjërimin e folur dhe të shkruar, mendojmë se është e udhës të flasim paraprakisht për nocionin e “argumentimit”, pasi edhe thelbi i temës së ligjërimit kalon pashmangshmërisht nëpërmjet argumentimit. Shpesh herë, në jetën tonë të përditshme, ndodhemi përpara situatave të tilla kur shtrojmë pyetjen: “Kjo që thua nuk më bind. Kjo që thua nuk ma mbush mendjen. Artikulli që sapo lexova nuk argumentonte saktë, ishte mjaft i njëanshëm”. Jemi të mendimit se situata të tilla kalojmë të gjithë dhe përpiqemi atëherë të jemi më arguementues për të bindur të tjerët. Në ç’mënyrë përdorim armët e argumentimit? Kësaj pyetjeje do t’i japim përgjigje në vazhdimësi.

Çështja e parë që do të shtronim ka të bëjë me nocionin e ‘argumentimit’.

Ç’është argumentimi ?

 

Gjatë procesit ligjërimor, secili prej nesh ka ëndje dhe kënaqësi kur dëgjon dikë që di të komunkojë, di të argumentojë si dhe di të flasë me gjuhë të saktë. Për vetë natyrën e tij, argumentimi spikat në mënyrë të veçantë gjatë bashkëbisedimit dhe monologut dramatik. Për të argumentuar një fakt, për të mbrojtur një tezë, për të hedhur poshtë një tezë tjetër, protagonistët  që përdorin këto tipe tekstesh shkëmbejnë fjalë me njëri-tjetrin, pyesin dhe japin përgjigje, mohojnë ose pohojnë, shprehin gëzime ose shqetësime, këndojnë ose qajnë e rënkojnë, por kurdoherë me thënie e kundërthënie që shërbejnë si urë midis dy veprimeve.

Argumentimi është pjesë e komunikimit tonë në jetën e përditshme. Nuk ka artikull gazete, lajm që transmetohet nëpërmejt radios apo televizionit që të mos shprehet apo të  mos lidhet me argumentet e një editorialisti, të një të ftuari, të një politikani, autori, kritiku etj. Tekstet e reklamave, p.sh.,  shprehin hapur qëllimin e tyre bindës për të përligjur blerjen apo përdorimin e një malli apo të një produkti tjetër. Secili prej nesh, dashje-padashje, vihet në provë për veprimet e kryera. Shpesh në situata të ndryshme vihemi në lëvizje nga instiktet dhe reflekset, si masa të mbrojtjes së vetvetes. Por përveç këtyre, njeriu si qenia e pajisur me logjikë, arsyeton, logjikon dhe vepron.

Lidhur me përkufizimin e ‘argumentimit’ ka përkufizime të ndryshme. Këtu po paraqesim një menidm të përmbledhur duke kapur thelbin e shumë përkufizimeve. Argumentimi është « orvatja, përpjekja  që secili prej nesh ndërmerr për të nxitur tek interlokutori i drejtpërdrejtë dhe jo i drejtpërdrejtë mbajtjen e një qëndrimi duke paraqitur apo pohuar  argumente,   të cilat synojnë të tregojnë vlefshmërinë ose karakterin e ligjshëm a të arsyeshëm të diçkaje. »

Duke u nisur nga ky përcaktim dalin në pah tre veçori bazë të argumentimit :

  • Ø Kur është fjala për argumentim, kërkohet prania e disa personave : ata që e japin, ata që e marrin dhe publiku ose dëshmitarët. Kjo do të thotë se argumentimi ka karakter shoqëror.
  • Ø Argumentimi nuk është ushtrim spekulativ siç është për shembull përshkrimi i një objekti, apo rrëfimi i një ngjarjeje. Ai është një përçapje që synon të ushtrojë ndikim mbi tjetrin.
  • Ø Argumentimi kërkon përdorimin e provave, të fakteve, të dëshmive, të dëshmitarëve në favor të tezës së paraqitur e cila duhet thënë se nuk imponohet me forcë. Është pra një procedurë që përmban elemente racionale, të arsyeshëm. Kështu, argumentimi ka lidhje të forta me arsyetimin dhe logjikën.

 

Për argumentimin është folur që në lashtësi duke nisur me Aristotelin e në vijim deri në ditët tona. Aristoteli qe autori i parë që studjoi konceptin e argumentimit. Në veprin “Topikët”, Aristoteli e sheh argumentimin si teori të «arsyetimit dialektik». Ndërsa, në veprën tjetër “Retorika” ai merret kryesisht me bindjen e auditorit, të publikut, të të pranishmëve. Në dy veprat e cituara, argumentimi shfaqet si bashkim, si bashkëlidhje e një procedure racionale dhe e një përçapjeje shoqërore.

Tek “Topikët”, Aristoteli niset nga premisat për të mbërritur tek përfundimet. Si pikë referimi për përpunimin e kësaj teorie Aristotelit i shërbeu dialogu midis dy personave. Aristoteli e studjoi argumentimin në Greqinë e moçme, kur debatet politike ishin në rend të ditës dhe domosdoshmëria e mbrojtej së qytetarëve përpara drejtësisë. Ndërsa në kohët moderne, studjuesi Perelman e shtrin gamën e argumentimit në fusha të tjera si në analizën e teksteve akademike, filozofike dhe letrare. Argumentimi sot ushtrohet në një botë ku mbretëron dykuptimësia, paqartësia, pasiguria, mosmarrëveshja (nga ku del rëndësia e komunikimit). Argumentimi është një arenë konflikti midis përplasjeve të arsyetimeve. Kjo ndodh dhe është e vërtetë, përjashto këtu vetëm argumentimet në shkencat e sakta ku secili është i bindur për vërtetësinë apo për pavërtetësinë e një fakti shkencor. Jashtë këtyre shkencave, argumentimi është “dyluftim”, është përplasje tezash e antitezash, argumentesh e kundërargumentesh. Kjo ndodh sepse konceptet janë shpeshherë të paqarta, si pasojë e një realiteti vetë të paqartë. Argumentimi është një veprimtari intelektuale dhe teorikisht ai është i varur nga e vërteta.

Argumentimi si fakt shoqëror

Argumentimi hamëndëson një shumësi njerëzish. Minimumi kërkon një dyshe ku njëri të « japë » dhe tjetri të « marrë ». Në realitetin konkret, për shembull nëpër reklama konceptimi dhe shpërndarja bëhet në grupe. Përsa i përket madhësisë së publikut, synohet që ai të jetë sa më i madh që të jetë e mundur. Shpesh argumentimi zhvillohet dhe në kuadër privat. Si shembull të tillë mund të marrim orvatjet që bën një shitës që troket shtëpi më shtëpi, ose shitjen nëpërmjet telefonit. Në rastet e tjera, protagonistët dialogojnë ose përballen jo kokë më kokë, por në prani të një publiku. Kjo është një teori shumë e lashtë  që vihet re në Dialogjet platonike ku personazhet rropateshin në kërkim të së vërtetës apo në veprat e Aristotelit ku dyluftimi midis oratorëve ishte një ushtrim interesant në të cilin publiku merrte pjesë dhe vlerësonte aftësinë, mprehtësinë, zhdërvjelltësinë dhe njohuritë e oratorëve. Në kohën tonë televizioni na i sjell shumë pranë debatet politike, kulturore, arsimore dhe të fushave të tjera të jetës së shoqërisë. Argumentimi është i mundur vetëm në një shoqëri e cila pranon një minimum lirish intelektuale. Në shoqëritë moderne vendi që zë argumentimi në vendet publike dëshmon për peshën dhe hapësirën e lirisë së mendimit dhe të veprimit. Por edhe në kohën tonë argumentimi nuk është një përçapje krejt e lirë që mund të kryhet në çdo kohë, nga cilido dhe mbi çfarëdo lloj teme. Ashtu si të gjitha mënyrat e shprehjes së mendimit, ai mund të shtrohet në tryezë vetëm pasi të jetë pranuar paraprakisht nëse duhet të jetë i hapur apo jo. Qysh nga koha e Aristotelit janë rrahur këto mendime. Në mënyrë koherente vetë Aristoteli saktësonte se duheshin përjashtuar nga diskutimi çështje për të cilat përgjigjja ishte në majë të gjuhës, ose që mund të jepej sa të hapje e të mbyllje sytë, (si për shembull a mund të diskutohet e argumentohet ngjyra e borës ! ?).

Nga pikëpamja shoqërore, argumentimi është një formë e teknikave të ndikimit që individët dhe grupet e zbatojnë nëpërmjet formave të ndryshme dhe me objektiva nga më të ndryshmet  sapo njerëzit fillojnë e jetojnë së bashku dhe sapo jeta e tyre nis me bashkëpunim ose me konflikt. Ndikimi që ushtron argumentimi realizohet nëpërmjet komunikimit

 

Argumentimi, arsyetimi, logjika dhe gjuha

Demonstrimi dhe argumentimi

Aristoteli qysh në fillim të veprës së tij Topikët dallon qartë dy lloje arsyetimesh : demonstrimin dhe arsyetimin dialektik. Për të, demonstrimi ka për pikënisje njohuri « të vërteta ose parësore », domethënë të sigurta. Përkundrazi, arsyetimi dialektik niset nga premisa të cilat janë vetëm opinione të pranuara. Pra, dallimi midis demonstrimit dhe arsyetimit dialektik qendron në natyrën e premisave, jo tek procedura e deduksionit të mirëfilltë i cili do të ishte i përbashkët për të dy format. Demonstrimi (sidomos ai formal) është karakteristikë për matematikën dhe sidomos për logjikën. Midis demonstrimit dhe argumentimit vihen re sipas Blanshesë këto dallime :

¨     Një demonstrim është i prerë në kuptimin e saktë ose jo. Nëse është i saktë atëherë nuk ka asgjë për t’iu shtuar. Përkundrazi, argumentimi nuk e ka kurrë këtë ngurtësi. Vlefshmëria e tij është e shkallëzuar dhe asnjëherë e mbyllur. Ai mund të përforcohet gjithnjë duke i shtuar argumente ndihmëse konvergjente.

¨     Demonstrimi ka të bëjë me të vërtetën ose të gënjeshtrën, ndërsa argumentimi synon të veprojë mbi një opinion dhe në më të shumtën e rasteve të përcaktojë ose të përligjë një vendim. Vlera logjike e demonstrimit është e qenësishme dhe ajo do të qëndronte edhe sikur asnjë të mos mendonte për të, përkundrazi, argumentimi i drejtohet drejpërsëdrejti dikujt për ta bindur.

¨     Demonstrimi është mekanik dhe mund të jetë objekt i një llogaritjeje me makinë (kompjuter). Argumentimi kërkon me ngulm shpikje dhe gjykim, aftësi për të marrë në konsideratë përmbajtjen e argumenteve, saktësinë dhe forcën e tyre relative.

Por, atje ku ka demonstrim ka edhe argumentim. Matematikanët dhe logjicienët nuk i shpëtojnë këtij rregulli. Ata argumentojnë për të përligjur hyrjet, parathëniet në konceptet e reja, demonstrimet më elegante dhe më pak të ndërlikuara, orvaten të mbrojnë apo kundërshtojnë këtë apo atë teori etj.

 

Argumentimi dhe format e ndryshme të arsyetimit

Shkencëtarë e filozofë në studimet e tyre kanë njohur forma të ndryshme të arsyetimit : deduksionin, induksionin, formën përmes absurdit, formën përmes analogjisë. Këto forma i gjejmë dhe në argumentimin, por me modalitete të cilat nuk i përkasin gjithnjë përshkrimit që u dha në mënyrë abstrakte dhe që gjendet në fusha të tjera të zbatimit si për shembull në atë të arsyetimit shkencor.

 

  1. A. Deduksioni. – Format e vetme të deduksionit të cilat duhen konsideruar si të tilla ushtrohen përmes gjuhës së folur ose asaj të shkruar. Kjo mënyrë e largon nga deduksionet e kryera simbolike, algjebrike apo  logjistike për shembull.

a. Silogjizmi në formën klasike mund ta ilustrojmë me shembullin e mëposhtëm :

Njerëzit janë të vdekshëm.

Sokrati është njeri.

Pra, Sokrati është i vdekshëm.

Silogjizma të tillë gjenden nëpër traktate logjike. Pak a shumë kështu ndodh dhe me argumentimin. Kështu argumentimi i një gjykatësi i cili kërkon dënimin e një të akuzuari duke u mbështetur në një nen të ligjit në fuqi argumenton se ky krim, kjo kundravajtje meriton këtë ndëshkim. Një argumentim të tillë mund ta shpjegojmë kështu :

Ai që kryen një krim X dënohet me 10 vjet heqje të lirisë.

I akuzuari Y e ka kryer këtë krim.

Pra, i akuzuari do të dënohet me 10 vjet heqje lirie.

b. Arsyetimi kundërvënësKy arsyetim mund të marrë formën e një silogjizmi (silogjizëm ndarës). Ai përmban premisat e një shkëputjeje midis dy fjalive. Premisa e dytë pohon (ose mohon) të vërtetën e tjetrës. Logjika e Port-Royal-it na jep këtë shembull :

 

Ata që vranë Çezarin janë atëvrasës, ose mbrojtës të lirisë

Por ata nuk janë atëvrasës.

Pra, ata janë mbrojtës të lirisë.

 

Në këtë rast, premisa e dytë është negative dhe përfundimi del pozitiv. Mund të ndodhë dhe e kundërta kur premisa e dytë të jetë pozitive dhe përfundimi negativ; mjafton që të transformojmë shembullin e mësipërm për t’i dhënë këtë formë.

c. Arsyetimi kushtëzuesKy arsyetim mund të marrë formën e një silogjizmi kushtëzues. Raporti që vendoset në këtë lloj arsyetimi në gjuhë shprehet me terma të tillë si : në qoftë se …, atëherë… Premisa e dytë e këtij arsyetimi pohon ose mohon njërin nga propozimet. Pra, rrjedh një përfundim që pohon ose mohon propozimin e premisës së parë. Le të marrim një shembull të ilustruar nga Logjika e Port-Royal-it :

Nëse ka një Zot, ai duhet adhuruar.

Por ka një Zot.

Pra, Ai duhet adhuruar.

Ky lloj arsyetimi është veçanërisht karakteristik në lëmin e drejtësisë. Le të marrim një shembull :

 

Në qofë se një njeri vdes pa lënë trashëgimtarë, atëherë pasuria e tij i kalon shtetit.

Apo shembuj dhe të jetës së përditshme :

Nëse lexon gazetën X, ose shikon kanalin televiziv Z, do të informoheni shumë mirë.

 

B. InduksioniAristoteli tek “Topikët” nënvizon se induksioni është mënyrë veprimi më bindëse, më e qartë, intuitivisht më e pranueshme. Sipas tij, kemi induksion kur nisemi nga e veçanta për të arritur tek e përgjithshmja. Pra, e kundërta e deduksionit.  Le të marrim një shembull :

 

Një profesor që po jepte leksion  mbi një temë që kishte të bënte me trashëgiminë, u shtron këtë pyetje nxënësve :

Në një familje ku babai është i prekur nga tuberkulozi dhe nëna është alkooliste, dy fëmijët e parë lindin me të meta. Tani a duhet që nëna e mbetur shtatzënëme fëmijën e tretë ta lindë atë? Vetëkuptohet, shumica e studentëve ishte kundër lindjes, pro abortit. Ju lumtë ! ngriti zërin profesori, ju me këtë përgjigje sapo vratë Bet’hovenin!

 

C. Arsyetimi në mënyrë analogjike – Analogjia është një nocion i dykuptimtë. Ajo nuk ka të bëjë me arsyetime të sanksionuara në ligj a në libër. Ajo është bazë e shumë sjelljeve praktike të cilat lejojnë të kalohet nga ajo që është e njohur tek ajo që është e panjohur ose më pak e njohur. Argumentimi në të luan një rol të rëndësishëm. Ky lloj arsyetimi ndeshet shpesh në lëmin e drejtësisë ku gjykatësit japin dënime duke bërë analogji me kuptimin si diçka e ngjashme : Për shembull :

Një person ka vjedhur bretkosa. Ai për aktin e kryer duhej dënuar, por nuk ishte e sanksionuar asgjëkundi që për vjedhjen e bretkosave dënohesh me këtë apo atë gjobë. Në bazë të një neni të kodit penal personi në fjalë u dënua sikur të kishte vjedhur peshk. Pra, për bretkosat, megjithëse të ndryshme biologjikisht nga peshqit, në këtë rast, gjykata bëri një analogji.

Argumentimi dhe logjika

Fjala « logjikë » ngërthen disa kuptime.

  1. Në gjuhën e përditshme ajo evokon para së gjithash koherencën e fjalëve por dhe atë të aktorëve.
  2. Në kuptimin teknik, ajo është një disiplinë e orientuar drejt një teorie formale të veprimeve intelektuale, në mënyrë të veçantë të arsyetimit. Ideali i logjikës është që të shprehë këto veprime me ndihmën e simboleve siç janë ato të matematikës, me qëllim që të arrihet në trajtimin e tyre në formën e llogaritjeve.
  3. Krahas këtyre, psikologët flasin për logjikën natyrore çka lidhet me përshkrimin e veprimtarive kryesisht arsyetimin e njerëzve në situata të jetës reale.

 

1.a. Koherenca – Argumentimi duhet të jetë logjik, pra, sipas kuptimit të parë ai duhet të jetë koherent. Një argument, i cili nuk është koherent nuk mund të jetë i efektshëm, madje as nuk mund të pranohet.

2.a. Kontradikta. – Me nocionin e kontradiktës duket sikur kemi hyrë në logjikë, në kuptimin teknik të termit, sepse bëhet fjalë për një koncept kyç të cilin logjicienët e kanë futur në punimet e tyre. Kur flasim për kontradiktë duhet pranuar se ajo ka karakter shoqëror. Të gjithë njerëzit janë të një mendjeje për të pranuar parimin e kontradiktës. Kontradikta çon në zhvillim, në përparim.

2.b. Kontradikta dhe kundërvënia e propozimeve. – Për logjikën klasike, kontradikta është një mënyrë e kundërvënies së propozimeve. Këto kundërvënie arrijnë në polemika të ashpra të jetës shoqërore të përditshme. Kontradikta është i vetmi lloj i kundërvenies i cili mundëson  nxjerrjen si përfundim të gënjeshtrës apo vërtetësisë së një propozimi.Të kundërtat për shembull mund të jenë të dyja të rreme dhe të papranueshme dhe të nën-kundërtat të vërteta të dyja. Kështu për shembull një mbrojtës i qeverisë i sulmuar nga thënia « Të gjitha aktet e qeverisë janë të dëmshme » do mundohej që të mbrohej e ta hidhte poshtë këtë mendim të prerë vetëm duke përdorur argumente të nisur me fjalën disa. Le të jemi më të qartë : Fjalia bazë është thënia « Të gjitha aktet e qeverisë janë të dëmshme »

 

Si të kundërta këtu do të kishim :

 

-         Të gjitha aktet e qeverisë janë të dëmshme për ekonominë

-         Asnjë akt i qeverisë nuk është i dëmshëm për ekonominë.

Si nën-të kundërta kemi :

 

-         Disa akte të qeverisë janë të dëmshme për ekonominë.

-         Disa akte të qeverisë nuk janë të dëmshme për ekonominë.

 

Gjithë qëllimi i hedhjes poshtë të fjalisë bazë është që vartësit apo përkrahësit e qeverisë të pengojnë kundërshtarin të shpallë me të madhe që qeveria ka ndërmarrë një veprim krejtësisht të dëmshëm.

 

2.c. Kontradikta dhe papajtueshmëria Zjarri nuk mund të pajtohet me ujin, i ftohti me të nxehtin, e zeza me të bardhën etj. Një njeri që është i ulur mbi një shtrat, nuk ka sesi të jetë gjetkë; një katërkëndësh nuk mund të ketë më pak apo më shumë se katër kënde; një pasaportë mund të jetë e lëshuar nga organet kompetente ose të jetë e falsifikuar; jeta dhe vdekja, dashuria dhe urrejtja, njerëzit e politikës në garë për të marrë frenat e shtetit gjithashtu janë një shembull i kapshëm për të treguar kontradiktën dhe papajtueshmërinë.

 

Argumentimi dhe gjuha

Argumentimi zhvillohet dhe në planin gjuhësor: si në atë të folur ashtu dhe në atë të shkruar. Gjuha është shumë e lidhur me imazhin. Cilado qoftë pesha e saj, ne nuk mund kurrsesi të shpërfillim rolin e imazheve, të figurave të personave, objektet, ngjarjet etj. Ata luajnë një rol të rëndësishëm në shoqëri. Prodhimet grafike, vizatimet humoristike ( karikaturat) të gjitha këto transmetojnë në mënyrë vërtet të çuditshme mesazhe. Të gjitha këto mesazhe të tilla mund të trajtohen si argumente për aq sa ato japin  individë apo grupe të shoqëruara me qëndrime apo veprime të cilat kanë vlerë pohimi dhe cilësimi. Kuptimi i këtyre imazheve është : Shikoni se ç’janë këta njerëz, se ç’bëjnë, sesi sillen. ». Kjo mund të bëhet në formë të dhunshme, agresive apo nën një formë tjetër ku del në pah humori. Në krahasim me prodhimin verbal, imazhi ka më tepër forcë. Imazhi (një film për shembull) shkakton efekte më të forta emocionale sesa një dokument i shkruar apo një histori e treguar. Kjo vjen qoftë nga përmbajtja e tij, qoftë nga realizimi, paraqitja. Gjuha pra është më e varfër sesa imazhi. Kjo sepse imazhi paraqit, ndërsa gjuha vetën rrëfen dhe evokon.

 

Zbatimi i argumentimit

Objektivat e argumentit

Vetë përkufizimi i argumentimit  fikson objektivin e përgjithshëm të tij. Ky objektiv është specifikuar tradicionalisht nga dallimi i tre kategorive: (a) transmetimi i një bindjeje; (b)rrahja, shqyrtimi, diskutimi i një çështjeje; (c) përligjja (justifikimi). Në rastin e parë termi është fiksuar: ai që argumenton është i bindur, kërkon vetëm të bindë të tjerët. Në rastin e dytë, përkundrazi, vetëm pas argumentmit do të përcaktohet e vendoset se ç’duhet bërë. Justifikimi nuk ndryshon nga i pari, vetëm konteksti psikologjik mund ta lejojë dallimin. Ai i përket një qendrimi mbrojtës ose apologjik.

(a) Transmetimi i një bindjeje

 

Shqetësimi për të transmetuar një bindje lidhet shumë me përkufizimin e argumentimit. Është po ky transmetim i cili kundërvë qartë argumentimin me arsyetimin shkencor. Në arsyetimin logjik ose matematikor, përçapja shkon nga premisat tek përfundimi. Ndërsa në lëmin fetar, politik, moral, estetik etj. nuk është kështu, ose rrallë ndodh kështu. Dikush është besimtar i kësaj apo asaj feje, bën pjesë në këtë parti apo në tjetrën, kjo varet nga motive të analizueshme, nga motive që varen nga shkakësia sociologjike apo psikologjike. Edhe argumentimi varet nga këto motive.

 

(b) Rrahja, shqyrtimi, diskutimi i një çështjeje

Pikë tjetër e argumentimit që ia vlen të ndalemi është diskutimi i problemit, i çështjes  që del në pah kur mund të merren shumë vendime. Sa herë që merren vendime të rëndësishme ushtarake, ekonomike etj. atëherë ky tip argumentimi është i pashmangshëm.

(c) Justifikimi, (përligjja)

 

Ky është tipi i tretë origjinal i argumentimit. Justifikimi është retrospektivë, ndërsa tre të parët prospektivë. Është marrë një vendim, është zbatuar një veprim. Në raste të tilla bëhet fjalë për drejtësinë e veprimit (nëse ai ka qenë i domosdoshëm apo jo). Zbatimi i tij normalisht kërkon justifikim, përligjje e mbrojtje të vepruesit, zbatuesit.

 

Argumentimi në gjuhë

Kërkimet shkencore në fushën e gjuhësisë kanë nxjerrë në pah tre faza të njëpasnjëshme.

Në nivel sintaksor, ku fjalia kyç është e pranueshme, përcaktohen rregullat sipas të cilave disa këmbime simbolesh çojnë ose jo në vazhdime të mirinformuara të fjalive të gjuhës.

Në nivel semantik, shfaqen nocionet bazë të cilat janë nocionet e së vërtetës dhe të gënjeshtrës. Sipas terminologjisë së gjuhëtarit Moris, bëhet fjalë për vendosjen e lidhjeve apo raporteve midis shenjave dhe referentëve, treguesëve të tyre, pra për një logjicien (metodist, person që arsyeton në bazë metode) kuptimi i fjalisë, ajo çka i referohet është vlera e së vërtetës.

Në nivel pragmatik duhet marrë parasysh fakti që përdorimi i një fjalie është dukuri ndërvetjake, një ngjarje në historinë e lidhjeve dhe marrëdhënieve midis shumë individësh. Folësi e përdor sepse ia kërkon situata në të cilën ai gjendet para të tjerëve që e rrethojnë, ose të paktën, kjo situatë ia lejon ta bëjë diçka të tillë; dhe nëse e përdor, nga ana tjetër, këtë ai e bën, sepse kërkon, në saje të saj të shkaktojë një farë efekti për atë që flet. Pyetjet që mund të bëheshin në pragmatikë, mund të ishin : Ky parashtrim, formulim a kjo thënie a i shkon për shtat situatës në të cilën shprehen ? A do të ishin jashtë teme ? Çfarë reagime priten nga marrësi i mesazhit ? A i përshtatet përgjigjja pyetjes ? A kryhet një veprim sipas urdhrave ? etj. Kjo ndarje më tresh është e propozuar nga pozitivistët. Në argumentimin në gjuhë, si rregull logjik, ndiqet një rend linear : Duhet nisur nga sintaksa (nga mirëorganizimi i njësive përbërëse të fjalisë), duke kaluar pastaj tek lëmi semantik (pra te fusha kuptimore e asaj çka u ndërtua a u shkrua apo u shpreh) dhe vetëm pas këtyre dy hapave duhet kaluar te pragmatika. Një tezë e tillë mund të paraqitet në dy forma :

E para ka të bëjë me faktin se secila nga këto disiplina merr me mend disiplinën e mëparshme me renditjen që i bëmë më sipër dhe jo të ndodhë e kundërta duke u përmbysur rendi. Me fjalë të tjera, vlera pragmatike e një fjalie a thënieje është e pakuptueshme nëse nuk merret parasysh përmbajtja informative e saj dhe kjo, varet nga struktura gramatikore. Nga ana tjetër, rregullat e formimit të shëndoshë sintaksor janë të pavarura nga përmbajtja informuese e thënieve.

Forma e dytë, e cila është më rrënjësore, mbështetet te teza e gjuhëtarëve neo-pozitivistë, por, gjithësesi edhe kjo tezë nuk dallohet shumë qartë nga e para.

Kjo formë ka të bëjë me faktin që në analizën e një thënieje, formulimi a parashtrimi i secilit nga tre përbërësit mund të funksionojë e punojë duke u nisur nga rezultatet e fituara nga përbërësi paraprirës duke u riinterpretuar sipas ligjeve të tij. Me fjalë të tjera, ajo çka hyn në analizën semantike mund të bëhet njësh me atë që del nga analiza sintaksore, pra kështu « inputi » i pragmatikës nuk mund të ishte asgjë tjetër veçse « autputi » i semantikës. Nga sa përshkruam më sipër do të bënim një skemë të tillë :

 

Formulimi

 

 

Sintaksa

 

 

Përshkrimi sintaksor i formulimit

 

 

 

Semantika

 

 

Përmbajtja informative e formulimit

 

 

Pragmatika

 

 

Vlera e veprimit të formulimit

 

Pra, siç shihet, gjatë kësaj analize, vihet re një shkallëzim. Shkallë të tilla argumentuese vihen re të paktën që nga analizat e gjuhëtarit Sepir. Kështu le të shohim disa shkolla të cilat krijojnë një lidhje argumentuese të tipit logjik. Të gjithë e dimë se disa kategori mbiemrash janë të orientuara. Kështu për shembull : i akullt do të thotë më shumë sesa i ftohtë dhe nga ana tjetër mbiemri i ftohtë, nga ana e tij, do të thotë më shumë sesa i freskët. I njëjti rend është i vlefshëm dhe për rendin: djegës, i nxehtë, i ngrohtë dhe i vakët ku paraprirësi do të thotë më shumë se pasardhësi. Apo te rendi : i detyrueshëm, i këshillueshëm dhe i lejueshëm. Analogjia midis tre serive mund të vendoset edhe sikur të mos dihet përcaktimi i lidhjes «më shumë se » me ndihmën e së cilës ato përshkruhen. Ato kanë   në  fakt disa cilësi të përbashkëta të zbuluara nga efekti i operatorëve të ndryshëm. Kështu për shembull pothuajse i ftohtë vendoset midis i ftohtë dhe i freskët dhe jo midis i ftohtë dhe akull. Po kështu në të njëjtën mënyrë  pothuajse i ngrohtë është një ndërmjetësues midis i ngrohtë dhe i vakët dhe pothuajse i këshilluar, ndërmjetës midis i këshilluar dhe i lejuar. Grafikisht do të kishim skemën e mëposhtme :

 

 

 

Ky veprim është

 

i detyrueshëm

 

i këshillueshëm

pothuajse i këshillueshëm

i lejueshëm

 

 

 

Uji është

 

përvëlues                                                    akull

 

i ngrohtë                                                     i ftohtë

pothuajse i ngrohtë                                     pothuajse i ftohtë

i vakët                                                         i freskët

 

 

 

Ligjërimi i folur

 

 

Rrethanat e komunikimit

 

Në jetën e përditshme ndodhemi në situata të ndryshme komunikimi (familje, punë, shkollë, sport, bar, diskotekë, kënd dëfrimi etj), dhe kjo bën që në rrethana të tilla të përdorim një ligjërim që i përshtatet më së miri kësaj rrethane dhe që merr emrin e ligjërimit bisedor.

Forma themelore e kumtimit gojor është dialogu. Pragmatika na ndihmon me thelbin e studimit të saj që eshtë rrethana e komunikimit dhe përdoruesit e gjuhës (bashkëbiseduesit).

 

Rrethanat jashtëgjuhësore të bisedës

 

¨     Komunikimi bisedor është i njëkohshëm, dhënia dhe marrja kryhen njëkohësisht, pasi dhënësi dhe marrësi janë të pranishëm në rrethanën ku zhvillohet komunikimi. Sa më i njëkohshëm të jetë komunikimi, aq më tepër komunikimi fiton natyrë bisedore, edhe sepse bashkëbiseduesit janë në kontak të drejtpërdrejtë dhe nuk ndihmohen nga ndërmjetës të tjerë.

¨     Bashkëbiseduesit janë zakonisht të paktë në numër dhe kjo lejon edhe përjashtime nga norma e të folurit. Nësë bashkëbiseduesit do të ishin më të shumtë, prirja do të ishte drejt normës së përgjithshme të gjuhës.

¨     Në ligjërimin bisedor, bashkëbiseduesit përdorin intonacionin, mimikën, gjestet, tonin e zërit, tingujt paragjuhësorë si mjete ndihmëse të komunikimit. Shpesh atë që nuk e shprehin me fjalë e shprehin pikërisht me këto mjete ndihmësë paragjuhësore. Sa më të pranishëm të jenë këto mjete aq më shumë priremi drejt një ligjërimi bisedor dhe sa më shumë i shmangemi atyre aq më tepër i përafrohemi normës së përgjithshme. Folësi hyn në bisedë pa një parapërgatitje pasi biseda zhvillohet spontanisht në rrethana të lirshme komunikimi. Kështu, koha e formulimit të thënieve është e shkurtër, gabimet janë më të mundshme për t’u bërë por edhe për t’u korigjuar aty për aty. Në komunikimin bisedor realizohet i plotë funksioni komunikues i gjuhës dhe bashkë me të folësit shprehin emocionalitetin, subjektivizmin dhe vlerësimi. Ligjërimi bisedor është ai tip, në të cilin norma zbatohet në mënyrë elastike, me disa lëkundje, pa kufizime të ngushta në përdorimin e stilemave.

 

Tematika e përmajtjes

 

Në përgjithësi, temat që zotërojnë janë temat e jetës së përditshme. Si rrjedhojë, në këtë lloj komunikimi nuk synohet nivel i lartë abstraksioni, gjykime dhe mendime të përpikta, logjikë dhe arsyetim i thellë. Fakti që temat janë të njohura dhe pothuajse të përditshme shmang automatikisht abstraksionin dhe në biseda mbizotëron konkretja dhe shfaqet subjektivizmi dhe emocionaliteti i ligjëruesve.

 

Tiparet e përgjithshme

 

¨     Në ligjërimin bisedor parapëlqehen trajtat më të thjeshta dhe të shkurtra

¨     Janë të pranishme, gjithashtu, ndërtimet sintaksore më pak të ndërlikuara, ku mbizotëron bashkërenditja

¨     Kemi një sintaksë të segmentuar me nxjerrjen në plan të parë të emocionalitetit

¨     Parpëlqehet përdorimi i togjeve të gatshme dhe i strukturave të gatshme me shprehje përforcuese. Të gjitha këto tipare i hasim në bisedat e përditshme në familje, punë, shkollë, bar, bisedat intime, rrëfimet gojore etj.

 

Veçoritë e ndërtimit të thënieve

 

¨     Nga pikëpamja fonetikore, luan rol intonacioni, toni i zërit; shpesh shqiptohen tinguj të panyjëtura qartë, ka efekte prozodike paragjuhësore (mosshqiptimi i ë-së së pazëshme: pun(ë)tor, pun(ë), fush(ë); i-ja e patheksuar në diftongje del e shqiptuar si j: aksion, funksion). Cungimet dhe rëgjimet fonetike i hasim tek numërorët e përbërë (shtadhjet, gjashmdhjet, pesënji etj). Kemi shkurtime të togjeve emërtuese (Fitoi Tirana (skuadra e Tiranës), Erdha me Kinostudion (erdha me urbanin e linjës së Kinostudios etj)

¨     Nga pikëpamja morfologjike, vërehen lëkundje të trajtave morfologjike në kohët e foljeve, në rasat, në trajta e shumësit të emrave (atë ditë isha pushim -> atë ditë e kisha pushim; çfarë lexon aty -> çfarë është shkruar aty etj.)

¨     Nga ana sintaksore, sintaksa e ligjërimit bisedor i nënshtrohet veprimit të tre faktorëve kryesrë: e para, nevojës për komunikim të pandërprerë dhe pa parapërgatitje, pa ‘planifikim’; e dyta, shfaqjes së hapur të emocionalitetit, subjektivizmit dhe individualitetit; e treta, përsëritjes së vazhdueshme të rrethanave, thjeshtimit dhe njëtrajtësimit të rasteve. Fjalitë thjeshtohen, mbizotërojnë lidhjet bashkërenditëse e fjalitë e varura të shkallës së parë. Sintagmat kanë pak gjymtyrë, emri nuk del me më shumë se një përcaktor, maksimumi dy. Tipari themelor sintaksor bëhet ndërtimi i segmentuar. Renditja e segmenteve i nënshtrohet logjikës afektive. Folësi nuk mund të planifikojë thënie të gjata, prandaj shpreh që në filim atë që ka më shumë për zemër (siç thotë një shprehje “e tha të fundit të parën”). Nga tërësia e këtyre veçorive sintaksore, stilemat bisedore fitojnë dy tipare karakteristike: e para, ato janë togje të gatshme për komunikim, ndërtime të tipizuara në të cilat mbizotërojnë ndjenja, dëshira, vullneti (përdorimi i pjesëzës “ku”, e cila nuk ka asnjë kuptim në fjali si: ku ta dish, ku ma gjeti sot, ku merr vesh ti, ku të lë ai, ku ka më keq); e dyta, tipizimi sjell klishe e stereotipa. Të njëjta situata sjellin të njëjtin standart gjuhësor (formulat e përshëndetjes, të mirësjelljes, shprehjet dhe urimet për lindje, martesë etj).

 

Leksiku bisedor

 

Leksiku i ligjërimit bisedor ka këto karakteristika:

¨     Është leksik konkret, janë fjalë që i përdorim në jetën e përditshme duke aktualizuar kuptimet e zakonshme të fjalëve(fjala ‘operacion’ ka disa kuptime, por në jetën e përditshme është aktualizuar vetëm me kuptimin “operim për mjekim”)

¨     Polisemia është e gjerë dhe me kufij të papërcaktuar. Kështu ka lindur polisemia e degëzuar e disa fjalëve të fondit themelor të shqipes (folje me të cilat ndërtohen togfjalësha që shpesh zëvendësojnë një fjalë më të specializuar: bëj, bie,dal, eci, fut, gjej etj etj.)

¨     Sinonimia është gjithashtu e shtrirë dhe e papërcaktuar. Kemi përsëritje të të njëjtjës fjalë si rezultat i nxitimit për të folur dhe i mungesës së kohës për të menduar thellë (ca e nga ca, për të pyetur e pyeta etj.)

¨     Shprehja emocionale – vlerësuese rrit intensitetin e thënieve duke hiperbolizuar sidomos me shifrat apo me sasinë dhe cilësinë (ta kam thënë njëqind herë, po ngordh për të ngrënë, u shkri gazit etj)

Leksiku bisedor është lesik konkret, me polisemi të zgjeruar që përfton ngjyrime subjektive të ndjeshme dhe në përdorim në togje të gatshme për komunikim.

 

Ligjërimi i shkruar

 

Kur gjuha përdoret në marrëdhënie shoqërisht të organizuara, del si kërkesë e domosdoshme që mjetet e saj të marrin trajta të përcaktuara e të qëndrueshme. Kësaj kërkese i përgjigjet më së miri shkrimi dhe gjuha e shkruar bëhet truali ku përpunohet norma, stadarti letrar.

 

Rrethanat e komunikimit

 

¨     Kur shkruajmë, komunikimi nuk është i njëkohshëm, sepse dhënësi dhe marrësi nuk janë në kontakt të drejtpërdrejë në hapësirë dhe në kohë

¨     Mungojnë mjetet paragjuhësore si gjestet, mimika, toni, intonacioni sepse marrësi nuk është i pranishëm

¨     Shkruesi mund t’i drejtohet një numri të pacaktuar marrësish, bashkëkohës apo jo me dhënësin. Mungesën e situatës e të mjedisit konkret, të gjesteve, të intonacionit, të mimikës duhet t’i kompensojmë me mënyrën gjuhësore. Shkrimi është në thelb një monolog (ndryshe nga biseda që është dialog). Ligjëruesi rendtit mirë fjalitë, pa gabime dhe kujdeset që të shmangë çdo keqkuptim, pasi nuk ka mjete të tjera përveçse atyre gjuhëosore për t’u shprehur dhe për të qenë sa më i kuptueshëm. Gjithashtu, ndreqjen e gabimeve mund ta bëjë po vetë ligjëruesi, i cili gjithashtu i kushton vemedje të veçantë formës së shprehjes dhe përpunimit të saj.

 

Përmbajtja

 

Ajo që shkruajmë duhet të rezistojë në kohë dhe në hapësirë, prandaj arsyetimi, logkika, gjykimi, mendimi i shtjelluar zënë vend të parë, ndërsa ndjenja, emocioni kalojnë në plan të dytë. Ligjërimi libror është ai, në të cilin norma zbatohet në mënyrën më të plotë e të ngurtë, pa lejuar lëkundje e shmangie, me kufizime të ndjeshme të stilemave dhe me parapëlqimin për mjete e ndërtime më të ndërlikuara, jo të zakonshe për gjuhën e folur.

 

Veçoritë e ndërtimit

 

¨     Zbatohen me përpikmëri rregulat e drejtshkrimit, të pikësimit dhe të shqiptimit. Kështu, dukuritë që i hasnim në ligjërimin e folur, këtu nuk egzistojnë

¨     Trajtat morfologjike janë rreptësisht të përcaktuara nga kodifikimi gramatikor

¨     Teksti është i lidhur dhe i sistemuar duke përbërë një tërësi të përfunduar dhe të formësuar, që ndjek një traditë shkrimore. Kështu kemi koherencë të fjalive, lidhje të ndërlikuara me nënrenditje, prani të mjaft mjeteve lidhëse, bashkërendim të kohëve, shkallëzim të modaliteteve etj.

 

Leksiku libror

 

¨     Mungesa e faktorëve jashtëgjuhësorë gjatë komunikimit shkrimor bën të domosdoshëm synimin për përpikmërinë  e përdorimit të fjalëve , arritjen për aktualizimin e përcaktuar të kuptimeve, shmangien e keqkuptimevet (psh. folja “është” duhet të zëvendësohet sipas konteksteve me ‘ndodhet, gjendet, shtrihet paraqitet, përbën etj).

¨     Sinonimia është e përzgjedhur dhe më e përshtatshme. Që fjala të dalë më e përpiktë duhet të shmagen shoqërimet emocionale dhe përfytyrimet individuale. Në raste të tilla, përdorimi i termave do të plotësonte më mirë prirjet e ligjërimit libror, prandaj dhe leksiku terminologji zë vend të madh në këtë lloj ligjërimi.

Synimi për përpikmëri, diferencim dhe sinonimi të zhvilluar e bëjnë leksikun libror mjaft të gjerë, duke iu përgjigjur fushave të specializuara. Burimet kryesore për ta plotësuar këtë kërkesë janë fjalëformimet dhe huazimet (ë veçanti kalkimi, duke ndërthurur të dy burimet): fjalëformimi me parashtesa e prapashtesa, huazimet e re, sidomos neolatine dhe anglicizmat ndryshe nga ligjërimi i folur ku mbizotërojnë huazimet orientale (turke, arabe etj.)

 

Share