Lufta e Ftohte

Problemi mё i rёndёsishёm i marrdhënieve ndërkombëtare qё nga fundi i Luftёs sё Dytё Botёrore deri në vitet 1990 ka qёnё Lufta e Ftohtë. Ky ёshtё nё tёrёsi dhe objekti kryesor me tё cilёn do tё mert ky kurs studimi. Tipari mё i rёndёsishёm i kёtij objekti studimi janё krizat ndёrkombёtare nё Evropё pas vitit 1945.

Pёrse dhe kur ёshtё quajtur Lufta e Ftohtë? Cila ёshtё pёrmbajtja dhe kuptimi i saj?

 

Pёrmbajtja dhe kuptimi i Luftёs sё ftohtё.

Walter Lipmann, publiçist i njohur amerikan, pёrdori pёr herё tё parё nё vitin 1947 shprehjen “Lufta e ftohtё” pёr tё pёrshkruar tensionin nё rritje mes SHBA dhe BRSS dhe aletёve tё tyre respektivё, tension shumё i ashpёr por qё nuk u shёndrua nё konflikt ushtarak (Walter Lipmann, The Cold War : A Study  of the United States Foreign Policy, New York, 1947). Shprehja u bё tepёr e modёs, por nuk ёshtё plotёsisht e saktё nga pikpamja globale e marrёdhёnieve ndёrkombёtare.

Nё studimet politiko-historike ky problem i rёndёsishёm i marrdhënieve ndërkombëtare (m-n) mё vonё u njoh jo vetëm me termin Lufta e ftohtë, por edhe terma të tjera si: konflikti Lindje-Perëndim, ose rivaliteti sovjeto-amerikan. Këto emërtime dallojnё mes tyre pasi kanё këndvështrime tё veçanta në lidhje me objektin e studimit. Lufta e ftohtë mbeti e tillё vetëm në Evropë, ku ajo nuk arriti të shndërrohej në luftë të nxehtë. Por në pjesë të tjera të botës, si nё Azi ka pasur, lufta e Koresё, dy luftrat nё Indokinё, luftrat nё Lindjen e Mesme, krizat nё Amerikёn Latine dhe nё Afrikё e tj. Pra lufta nuk ishte e ftohtё pёr tёrё botёn. Termi Lufta e ftohtё nuk përfshin tërë globin në kuptimin e problematikës ndёrkombёtare dhe shpesh studiuesit përdorin termin konflikti Lindje-Perëndim. Kjo shpreh mё mirё tё gjitha aspektet komplekse tё marrёdhёnieve mes dy palёve, kontradiktat e tyre tё thella, dhunёn, megjithёse ato mbetёn kryesisht periferike nё raport me Evropёn.

Të tjerë studiues kanë një vështrim më tё ngushtё dhe preferojnë termin rivaliteti sovjeto-amerikan, ku SHBA dhe BRSS, si tё vetmet superfuqi pas vitit 1945, luajtёn rolin kryesor nё m-n. Tani sё fundmi ёshtё pёrdorur dhe termi lufta 50 vjecare, (për ta krahasuar me luftёn 100 vjeçare ne shek. XIV-XV dhe atё 30 vjeçare 1618-1648), e cila mbyll ciklin e konflikteve tё mёdha ideologjike qё prej kohёs sё Iluminizmit evropian dhe shekullit tё XIX, pёr tё arritur deri nё fitoren e demokracisё liberale mbi totalitarizmin komunist dhe krijimin e njё rendi tё ri panevropian (George H. Soutou, La guerre de Ciquante Ans, Les relations Est-Ouest 1943-1990, Paris 2001).

Lufta e ftohte zgjati gati 5 dekada. Fillimisht u vendos njё lloj ekuilibri politik e ushtarak mes Perёndimit dhe Lindjes qё prej vitit 1955, i cili u shoqёrua me njё ulje tensioni – detanta. Qё nga ai moment u duk sikur palёt kishin hequr dorё nga planet e tyre fillestare. Dobsimi dhe rёnia e kapitalizmit, qё kishte qёnё frika e drejtuesёve perendimorё nё fillim tё luftёs sё ftohtё, tashmё ishin kapёrxyer, ndёrsa pёrparimi i komunizmit nё vendet e botёs sё tretё mendohej se e kishte bёrё ndarjen nё dysh tё Evropёs dhe botёs pёrfundimtare. Teori tё ndryshme afirmonin “konvergjencёn” mes kapitalizmit dhe komunizmit duke relativizuar diferencat e mёdha ndёrmjet Lindjes dhe Perёndimit. Qё prej vitit 1975, megjithё krizat e rёnda nё m-n, shohim tё filloi ndёrtimi progresiv i njё sistemi evropian dhe njё rend ndёrkombёtar qё afroi fundin e konfliktit Lindje-Perёndim nё vitet 1989-1990. Kombinimi i bisedimeve diplomatike me presionet dhe duke shrytёzuar dobёsitё e brendshme tё sistemit sovjetik, si dhe rivendikimet nacionaliste e liberale nё Evropёn lindore, perendimorёt ja dolёn m’banё tё detyronin BS tё pranonte zgjidhjet e tyre dhe t’i jepnin fund Luftёs sё ftohtё.

 

¨      Shkaqet dhe natyra e Luftёs sё ftohtё

Lufta e ftohte është ne rradhe te pare një konflikt global me natyre ideollogjike, politike, gjeopolitike dhe ushtarake, me ndikime të mëdha në aspekte të ndryshme, si kulturë, ekonomi, teknologji (gara e armatimeve çoi në zhvillimin e teknologjive të reja). Lufta e ftohtё vuri përballë dy botë që funksionojnë në mënyrë krejt të ndryshme në fushën e ideve dhe te organizimit politik e institucional. Lindja ёshtё komuniste dhe totalitare ndërsa perëndimi kapitalist dhe liberal. Komunizëm–kapitalizëm u bënë dy koncepte qe në mënyrë simbolike perfaqesojne dy botë krejtësisht të ndryshme nga njёra tjetra, jo vetëm per regjimet politike, por edhe në sistemin ekonomik dhe organizimin shoqёror.

Pse Lufta e ftohte nuk u bë një luftë e nxehtë, pse ajo nuk u shёndrua nё njё luftё botёrore, me pasoja më të mëdha sesa dy luftrat e tjera ? Arsyja qё pёrmendet mё shumё ёshtё ekzistenca e armëve të shkatërrimit në masë (atomike & bёrthamore), qё frenonte tё dy palёt pёr tu ndeshur. Shpjegimi nuk ёshtё shumё bindёs. Në vitet 60-70 SHBA e BS zhvilluan bisedime për kufizimin e armëve bërthamore si faktor stabiliteti nё marrёdhёniet ndёrkombёtare. Sovjetikёt nuk e pёrkrahnin plotёsisht pikpamjen amerikane mbi armёt atomike si faktor stabiliteti: ata mendonin se lufta bёrthamore ishte njё mundёsi qё varej nga ndeshja kryesore mes kapitalizmit dhe komunizmit. Disa prej krizave tё Luftёs sё ftohtё, si ajo e Berlinit dhe e Kubёs nё vitet 1958-1962 tregojnё se ato u bёnё mё tё rezikshme si rezultat i ekzistencёs sё armёve atomike. Reziku i njё sulmi rrufe shkatёrimtar shkaktonte panik e ngritje tё tensionit dhe nё raste krizash vёshtirёson rolin e diplomacisё. Gara me armёt atomike si nё Perёndim ashtu dhe nё Lindje u bё njё paranojё e vёrtetё.

Arsyet e vёrteta se pёrse Lufta e ftohtë nuk u transformua nё njё luftё tё pёrgjithshme duhen kёrkuar gjetkё. Konflikti Lindje-Perёndim ishte kryesisht njё konflikt ideologjik e politik. Nuk bëhej fjalë për të shkatërruar kundërshtarin apo për tё pushtuar territore e zotёruar burime lёndёsh tё para, por te nxitej transformimi i brendshëm i shoqërisë sё kundёrshtarit dhe tё adoptohej nje model i ri politik e social, ose demokracia liberale ose demokracia sovjetike. Ajo ishte njё vazhdim i debateve tё mёdha politike e shoqёrore nё Perёndim qё prej shekullit tё XIX. Lufta e ftohtë kishte një natyre tjetër nga ajo e luftrave të mëparshme, tё 1914 dhe 1939.

BRSS ishte qendra e organizimit tё njё lufte revolucionare botёrore dhe nё Moskё bёhej koordinimi i veprimtarisё sё partive tё ndryshme komuniste. Stalini mendonte se njё luftё botёrore ishte e mundshme dhe se do tё çonte nё fundin e kapitalizmit. Pas vitit 1956 ndryshon konceptimi i politikës sovjetike. Hrushovi iu shmang tezës së Stalinit për konfrontim. Ekipi i ri drejtues sovjetik u bё mё i ndёrgjegjshёm pёr pasojat e armёs atomike : njё luftё botёrore bёrthamore “nuk do tё bёnte dallim mes klasave”, ajo mbetej e mundshme, por veprimtaria revolucionare duhej t’i nёnshtrohej njё llogjike tjetёr. Nё plan tё parё dilte lufta politike e shoqёrore dhe ajo pёr çlirim kombёtar nё vendet e botёs sё tretё.  Me Perendimin dhe SHBA mund të bashkëjetohej në mënyrë paqësore dhe duhej të merreshin vesh për çështje madhore nё zgjidhjen e krizave ndёrkombёtare, pёr kufizimin e armëve bërthamore etj. Kjo ёshtё ideja kryesore e doktrinёs “bashkekzistenca paqёsore” e shpallur nё Kongrsin e XX tё PKBS nё 1956.

Nё kampin perendimor, doktrina e frenimit tё komunizmit “containment” e formuluar nga G. Kennan nё 1947 ёshtё nё tёrёsi strategjia bazё e Perёndimit : t’i reziztohej BRSS nё mёnyrё qё tё dёshtonin planet e tij revolucionare. Nё plan afat-gjatё BS duhej tё hiqte dorё nga kёto plane dhe t’i kushtohej problemeve tё brendshme, kryesisht ekonomike, dhe pёr t’i zgjidhur ato duhej tё liberalizohej. Qёllimi ishte tё transformohej kundёrshtari. Tё dy palёt kishin nga njё model : demokracia liberale per njёrёn palё dhe demokracia socialiste pёr tjetrёn.  Kjo ёshtё tema kryesore e debatit tё madh nё gjysmёn e dytё tё shekullit tё XX, i cili u zgjidh nё favor tё sё parёs. Kjo u pёrcaktuar nё Kartёn evropiane tё Parist mё 1990, e cila i jepte fund zyrtarisht Luftёs sё ftohtё nё Evropё.

 

¨      Interpretimet rreth Luftёs sё ftohtё

Me rёnien e pasioneve qё ajo ngjalli nё fillim, Lufta e ftohtё sot ёshtё bёrё njё objekt studimi historik. Sigurisht, nuk janё ende plotёsisht nё dispoziocion tё studiuesёve tё gjitha burimet arkivore pёr kёtё problematikё me rёndёsi kapitale pёr m-n nё kёto 5 dekadat e fundit. Asnjёherё nuk mund tё pretendohet tё shterret pёrfundimisht studimi i njё objekti historik dhe aq mё tepёr nuk mund tё pretendohet kjo nё rastin e Luftёs sё Ftohtё.  Arkivat e vendeve perendimore janё tё hapura pёr studiuesit, por edhe ato sovjetike pjesёrisht mund tё konsultohen. Njё burim i mirё informacioni arkivor rreth kёsaj teme gjendet Cold War History Program nё Woodrow Wilson Center tё Washingtonit, i cili boton njё Buletin dhe “working papers” me materiale tepёr interesante rreth kёsaj teme.

Nё fillimet e saj historiografia e Luftёs sё ftohtё u ndikua sё tepёrmi nga pesha e luftёs politike; mё pas kemi njё qёndrim mё tё matur e mё tё saktё rreth proçesit tё vendimarjes, motiveve dhe interesave tё palёve nё konflikt; sё fundi njё analizё mё e detajuar falё shfrytёzimit tё arkivave diplomatike etj. Njё tjetёr analizё, mё e thelluar po bёhet aktualisht nga studuiesit lidhur me kuptimin e Luftёs sё ftohtё nё plan afat-gjatё. Konflikt ideologjik ? Konflikt gjeopolitik ? Krizё e qytetёrimit ? Kёto janё disa prej çёshtjeve qё diskutohen sot nga historianёt.

Shkrimet e para mbi origjinёn e Luftёs sё ftohte shprehin mendimin e pёrhapur gjёrёsisht nё Perёndim nё vitet e para pas luftёs, se Stalini ishte pёrgjegjёsi kryesor i prishjes sё koalicionit antifashist fill pas mbarimit tё luftёs. Librat mё tё pёrhapur tё kёsaj rryme janё ato tё Herbert Feis, Cherchill, Roosvelt, Stalin, botuar nё vitin 1957 dhe ai i Philip E. Mosely, The Kremlin and Warld Politics, botuar nё vitin 1960. Mё pas, nё vitet 60-70 u pёrhap nё universitetet amerikane njё mendim i kundёrt “revizionist” nё historiografi, i cili vinte nё dukje politikёn imperialiste amerikane dhe pёrgjegjёsinё e SHBA nё origjinёn e Luftёs sё ftohtё. Libri mё njohur i kёsaj rryme ёshtё ai William A. Williams, The Tragedy of American Diplomacy, botuar nё vitin 1959. Kjo rrymё revizioniste ishte shprehje e humbjes sё besimit nё Perendim e veçanёrisht tek amerikanёt, si pasojё e tronditjes sё shkaktuar nga lufta nё Vietnam.

Mё pas lindi njё historiografi “neorevizioniste”, mё mirё e pёrpunuar nga ana metodologjike, por ende tepёr e ashpёr ndaj politikёs amerikane. Theksohej me forcё fakti  se gjatё Luftёs sё ftohtё, SHBA pёr hirё tё sigurimit tё interesave kombёtare rezikuan tё shkelin liritё themelore nё emёr tё luftёs kundёr komunizmit. Shembulli mё i mirё i kёsaj rryme mendimi ёshtё libri i Daniel Yergin, Shattered Peace : The origins of the Cold War and the National Security State, botuar nё vitin 1977. E njёjta rrymё e shihte politikёn sovjetike tё orientuar sipas kritereve gjeopolitike dhe jo tё frymёzuar nga ideologjia, siç mendonin studiuesit e mёparshёm. Kёtu kemi tё bёjmё me dy mёnyra trajtimi tё historisё sё politikёs sё jashtme sovjetike, me dy shkolla mendimi : njёra “realiste”, e cila shihte tek BS kryesisht njё shtet tё fuqishёm rus, tjetra kёmngulte nё rolin parёsor tё ideologjisё dhe partisё komuniste.

BRSS karakterizohej nё radhё tё parё nga roli i partisё dhe ideologjisё komuniste, por gjithashtu ai ishte dhe njё shtet qё kishte interesat e veta gjeopolitike, qё mund tё pёrputheshin ose jo me objektivat e tij ideologjikё. Analiza e rivalitetit sovjeto-kinez nё kontekstin e Luftёs sё ftohtё, p.sh. do tё jetё njё rast i mirё pёr tё bёrё njё trajtim metodologjik nga ky kendvёshtrim. Faktorё ideologjikё dhe faktorё gjeopolitikё u ndёrthurёn nё kёtё krizё, ku divergjencat ideologjike luajtёn rolin e nxitёsit nё shpёrthimin e krizёs. Nё analizёn e politkёs sё jashtme tё vendeve komuniste, p.sh. tё BS, nuk mjafton tё evidentohen objektivat kryesorё ideologjikё sovjetikё, por duhet analizuar kjo politikё duke mbajtur parasysh nё çdo rast faktorёt kompleks qё e pёrcaktojnё, duhet zbatuar njё metodologji qё mer nё konsideratё : natyrёn ideologjike tё regjimit dhe objektivat e tij, por dhe realitetin e gjendjes ndёrkombёtare ku ai vepron.

Krizat ndёrkombёtare qё mbёrthyen Evropёn pёr gjysёm shekulli do tё jenё njё ilustrim i mirё pёr tё parё konkretisht ndёrthurjen dhe rolin e faktorёve tё ndryshёm nё pёrcaktimin e zhvillimit tё marrёdhёnieve ndёrkombёtare.

Share
07
Jun
posted in: Artikuj, Librat e Rinj by | tags :